Marrëveshja me BB, ministrja Kumbaro: 77 milionë dollarë për menaxhimin e sistemit ujërave të zeza që derdhen në Vjosë
2024-04-05 13:18:01

Mirela Kumbaro (Foto RTSH)

Mirela Kumbaro (Foto RTSH)

77 milionë dollarë është fondi për menaxhimin e sistemit të ujërave të zeza që derdhen në Vjosë, në bazë të marrëveshjes me Bankën Botërore. Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, në interpelancën me deputeten e PD-së Ina Zhupa, tha se vizioni i qeverisë Rama është mbrojtja e pasurive natyrore, citon “RTSH”.   

“Mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe është vizioni i kësaj qeverie. Nuk është e lehtë që në një vend të vogël, të kesh guximin të fusësh në zona të mbrojtura dhe të zhvillosh turizmin dhe ekonominë, nuk është e lehtë. Është dhe shenjë emancipimi”,- tha ministrja.

Ajo theksoi se 488 km të Vjosës, plus tre degët, u shpallën Park Kombëtar përmes vendimmarrjes racionale dhe bashkëpunimit shembullor me shoqërinë civile dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, ministrja tha se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura synojnë të garantojnë një ekuilibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik, duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin. (Elona)