Hasani në Bruksel: NATO mos ta largojë vëmendjen nga Ballkani Perëndimor
2024-04-05 11:36:22

Foto nga ATSH

Në ditën e parë të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel, ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nënvizoi domosdoshmërinë që NATO mos ta largojë vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit, citon “ATSH”.

Duke iu referuar angazhimit të kryeministrit Rama në Samitin e Vilniusit, mbi shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen, ministri Hasani tha se kuota prej 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto është niveli minimal i angazhimit të deklaruar dhe jo maksimumi i tij.

Tre vjet nga nisja e konfliktit në Ukrainë, ministri Hasani theksoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ministrat pjesëmarrës trajtuan progresin e vendimeve të marra në samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e vendeve aleate, si dhe prioritetet e Samitit të Uashingtonit, i cili do të mbahet në korrik të këtij viti.

Ky ministerial është i pari në nivel të ministrave të Jashtëm me pjesëmarrjen e Suedisë në cilësinë e vendit aleat, duke e çuar Aleancën në 32 vende aleate. Po ashtu, ky takim përkoi me 75-vjetorin e themelimit të NATO-s. (Elona)