Mbetën pa shtëpi nga tërmeti, qeveria u jep 322 apartamente 5 bashkive
2024-04-05 10:53:24

Foto nga ATSH

Mbështetur në ligjin për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, qeveria miratoi kalimin te bashkitë Kavajë, Kamzë, Kurbin, Durrës dhe Lezhë të 322 apartamenteve, në 19 ndërtesa, me njësi banimi (pallat), bën të ditur “RTSH”.

Sipas vendimit, 45 apartamente në 2 ndërtesa me njësi banimi do t’i jepen Bashkisë Kavajë, ndërsa 158 apartamente në 12 ndërtesa me njësi banimi do t’i jepen në Bashkisë Kamzë.

“15 apartamente në 1 ndërtesë me njësi banimi  (pallat) i kalojnë Bashkisë Kurbin, 24 apartamente në 1 ndërtesë me njësi banimi  i jepen Bashkisë Durrës, ndërsa 80 apartamente  në 3 njësi banimi Bashkisë Lezhë”,- thuhet në vendimin e qeverisë.

Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Kavajë, Kamzë, Kurbin, Durrës dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi. (Elona)