Policia finlandeze konfirmon bullizmin si motivin e të shtënave në shkollë
2024-04-05 13:58:55

foto nga CFP

foto nga CFP

Në një komunikatë për media, policia bëri të ditur se i dyshuari, një nxënës i klasës së gjashtë, 12-vjeçar, kishte deklaruar se kishte përjetuar bullizëm në shkollë dhe kjo është verifikuar në hetim.

I dyshuari, një nxënës në shkollën Viertola në Vantaa, qëlloi për vdekje një djalë dhe plagosi rëndë dy vajza me pistoletë. Të katër ishin të gjithë shokë klase të së njëjtës moshë, sipas policisë.

I dyshuari, i cili kohët e fundit ishte zhvendosur në zonë, ishte regjistruar në shkollën Viertola vetëm 11 javë përpara incidentit.

I dyshuari më pas është dorëzuar në mbajtjen e organeve të mbrojtjes sociale. Sipas ligjit finlandez, individët nën moshën 15 vjeç nuk mbajnë përgjegjësi penale. Si rezultat, i dyshuari nuk mund të ndalohet apo burgoset, siç thuhet në komunikatën për media.

foto nga CFP

Të shtënat janë aktualisht nën hetim si një rast vrasje, me dy akuza për tentativë vrasje. Për më tepër, autoritetet janë duke shqyrtuar pretendimet se i dyshuari ka bërë kërcënime ndaj bashkëmoshatarëve pasi ka dalë nga ambientet e shkollës. Si pasojë edhe ky aspekt i ngjarjes po cilësohet dhe hetohet si akt kanosje nga policia.

Autoriteti komunal i arsimit në Vantaa u përmbajt nga komentet mbi pretendimet për ngacmim brenda shkollës. Ilkka Kalo, drejtoreshë për arsimin fillor në Vantaa, nuk pranoi të adresonte pyetjet në lidhje me motivin gjatë një konference për shtyp me transmetuesin kombëtar “Yle”.

Shkollës Viertola, e cila ka rreth 800 nxënës në katër ndërtesa të veçanta, i mungojnë butonat e kërkesës për ndihmë urgjente në shumicën e ndërtesave të saj, duke përfshirë vendndodhjen e të shtënave.

Sipas raportimeve të medieve, nxënësit duhej të mbështeteshin te celularët e tyre personalë për të kërkuar ndihmë gjatë incidentit.

Pistoleta e tipit revolver, e përdorur nga qitësi, i përkiste një të afërmi të tij, i cili është pronari me leje i armës, bëri të ditur policia, e cila po heton rrethanat e aksesit të armës për të dyshuarin, duke e konsideruar atë si shkelje të mundshme të rregulloreve të kontrollit të armëve. (Elona)

foto nga CFP