Kryeministri Rama: Ambicia jonë, eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” brenda 2030-s
2024-04-05 10:50:58

Foto nga ATSH

Përurohet Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë Shqiptare.

I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama theksoi se ambicia është që brenda vitit 2030 të ketë eksporte ushtarake të markës “Made in Albania”, bën të ditur “ATSH”.

“Për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për t’iu përgjigjur këtij niveli të ri të angazhimit që ne kemi në bazë të vizionit tonë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2030, një strategji e re ushtarake dhe një plan i ri i zhvillimit afatgjatë të Forcave të Armatosura janë tanimë gati dhe do t’i nënshtrohen procesit të ligjvënies në kuvend”,- tha Rama.

Ndërkohë që, shtoi kreu i qeverisë, po përgatisim edhe platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake.

“Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset me mjete ushtarake të markës “Made in Albania””,- nënvizoi më tej Rama.

“Për këtë jemi me fat, për hir të së vërtetës, sepse jemi një vend i vogël, po kemi aleatë të mëdhenj. Vendet më të përparuara në industrinë e mbrojtjes sot në botën demokratike janë jo vetëm të gatshme, por edhe të interesuara t’i shikojnë sipërmarrjet e tyre të zhvillojnë bashkëpunime me shtetin shqiptar dhe, nga ana tjetër, e gjithë qasja jonë e re në aspektin e këtyre bashkëpunimeve, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, është që shteti duhet të jetë partner, shteti duhet të jetë ortak, shteti duhet të jetë aksioner dhe nga gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike, shteti duhet të marrë pjesën e tij”,- tha Rama. (Elona)