Kryeministri i Libanit kërkon ndihmë ndërkombëtare mes sulmeve izraelite në kufirin jugor
2024-04-05 13:55:11

foto nga CFP

Jugu i Libanit pësoi sulmet ajrore nga Izraaeli më 3 prill 2024 / foto nga CFP

Sektorët bujqësorë dhe arsimor të Libanit janë në një gjendje katastrofike mes sulmeve të vazhdueshme izraelite në Libanin jugor, tha kryeministri libanez Najib Mikati, duke kërkuar ndihmë të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Rreth 800 hektarë tokë u dëmtuan plotësisht, rreth 340.000 krerë bagëti humbën dhe rreth 75 për qind e fermerëve humbën burimin e vetëm të të ardhurave”,- tha Mikati, sipas një deklarate të publikuar nga Këshilli i Ministrave, citon “Xinhua”.

Vërejtjet e Mikatit erdhën pas një takimi me ambasadorët dhe vendet donatore për të diskutuar situatën në Libanin jugor. Ai theksoi nevojën për ndihmë të shpejtë nga vendet mike për të ndihmuar Libanin të përballet me situatën në kufirin e tij jugor.

“Sektori i arsimit vuan njëlloj. 75 shkolla u mbyllën përgjithmonë, për të mos përmendur mundimin e gjetjes së një burimi financimi për t'i rindërtuar ato”,- tha ai.

Mikati shtoi se rreth 100.000 qytetarë libanezë u zhvendosën nga Libani jugor, me mbi 300 njerëz të vrarë dhe rreth 1000 të plagosur për shkak të konfrontimeve kufitare.

Kryeministri libanez përsëriti thirrjen e tij për komunitetin ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Izraelit të ndalojë sulmet e tij në Liban dhe të parandalojë përhapjen e konfliktit në të gjithë rajonin. (Elona)