Aleks Bakiaj: Të rinjtë t’i realizojnë ëndrrat këtu
2024-04-04 10:31:53

Aleks Bakiaj në Tiranë (Foto personale)

Aleks Bakiaj në intervistë për CMG

CMG: Tirana është pak e vështirë nga ana financiare për çdo të ri apo të re. Ti si e   përballon?

Aleks Bakiaj: Tirana patjetër ka vështirësitë e veta dhe në fillimet e mia kam menduar se do të ishte shumë e lehtë, por më pas kuptova që ka vështirësi dhe në aspektin financiar. Aktualisht punoj si ndihmës laborant dhe kam filluar punë pas studimeve.

CMG: Si është dita jote ?

Aleks Bakiaj: Dita nis me zgjimin dhe përgatitjen për punë. Është e gjatë pasi unë bëj dy punë, si ndihmës laborant, por dhe në një klub nate. Kam bërë këtë zgjedhje që të jem i angazhuar gjatë gjithë ditës, pasi e shoh këtë si një mundësi plus edhe për anën financiare.

CMG: Të rinjtë në Tiranë sot zgjedhin të bëjnë dy ose tre punë. A arrin t’i përballosh shpenzimet ?

Aleks Bakiaj: Po, prej anagazhimit tim në dy punë dhe pse Tirana mbetet sërish e vështirë nga ana financiare. Është një botë e egër prandaj dhe puna e dyfishtë të ndihmon më shumë.

CMG: Si ka qenë fëmijëra jote?

Aleks Bakiaj: Ka qenë shumë e bukur dhe unë kam qenë një fëmijë shumë i llastuar, duke qenë më i vogli i shtëpisë, por nga ana tjetër i qetë dhe në botën time. Kam pasur një fëmijëri normale si çdo moshatar i imi.

CMG: Kush të ka mbështetur më shumë ?

Aleks Bakiaj: Prindërit kanë qenë një mbështetje shumë e madhe për mua që prej fëmijërisë dhe po ashtu edhe sot i kam pranë vetes. Gjej rastin t’i falenderoj që më janë gjetur gjithmonë dhe vazhdojnë pa u lodhur. Janë shtylla ku mbështetem gjithmonë kur kam nevojë.

Aleks Bakiaj gjatë punës (Foto personale)

CMG: Kur e kuptove rëndësinë e një profesioni?

Aleks Bakiaj: Gjimnazin e kam bërë në profesionale dhe shikoja që nuk ishte ajo që vërtet doja. Gjendesha aty prej dëshirës së familjarëve të mi, por më pas vendosa që të kaloja në një gjimnaz të përgjithshem dhe të vijoja me mjekësinë. Veten e shihja tek stomatologjia dhe nuk e arrija dot me pikët, ndaj më pas vendosa që të vijoja si laborant. Kjo dëshirë për mjekësinë nisi prej një familjareje që ishte në stomatologji dhe kështu dëshira u finalizua. Stomatologjia është e vështirë, sepse futet në mjekësi dhe kërkon që të kesh një formim të mirë. Jam i lumtur dhe ndjehem i kompletuar me të dyja punët që bëj.

CMG: Puna e dytë e jotja është në një klub nate, si është jeta e natës në Tiranë?

Aleks Bakiaj: Jeta natës në Tiranë është e bukur dhe sigurisht me moshën që kemi na duket kaq mirë. Në fillim dilja thjesht për qef, por më pas mendova të jem dhe pjesë e stafit.

CMG: Cilat janë ëndrrat e tua më të mëdha ?

 Aleks Bakiaj: Dëshiroj të arrij të kem një punë timen dhe të eci më tej në profesionin tim për të arritur më lart.

CMG: Para apo lumturi?  

 Aleks Bakiaj: Në kohët që jetojmë do të zgjidhja lumturinë, sepse sot paranë e ke por dhe mund ta humbasësh, ndërsa ne sot na mungon lumturia ndikuar nga shumë faktorë të jashtëm.

CMG: Si e shpenzon kohën tënde të lirë dhe cilat janë pasionet e tua të fshehura?

Aleks Bakiaj: Në rrjetet sociale kam parë që me përmbajtjet që postoja mora një feedback të mirë. Vijoja më tej me bashkëpunimet me faqe dhe kompani të ndryshe dhe sigurisht dua të arrij diçka më tepër dhe nga Instagrami.

CMG: Kujt do të  dojë t’i jepje një mesazh ?

Aleks Bakiaj: Të rinjve, sepse shoh që duan të largohen dhe po e bëjnë këtë gjë aktualisht. Iu them që të punojnë fort dhe të luftojnë për qëllimet e tyre, duke i realizuar ëndrrat e tyre këtu.

Intervistoi: Megi Latifi