Kujtimet e kompozitorit ndihmojnë në formimin e së ardhmes
2024-04-04 11:44:26

Xue Dingzhe mund të kujtojë ende mësimin e tij të parë të pianos me mësuesen e tij japoneze kur ishte 6 vjeç, pasi ishte transferuar në Japoni me prindërit e tij, të cilët po studionin për mjekësi.

Foto:VCG

Xue Dingzhe(Qendër) në performancë(Foto:VCG)

Mësuesja, Osmi Emi, në Tokio, i kërkoi Xue të dëgjonte tre pjesë muzikore dhe i kërkoi të zgjidhte të preferuarën e tij. Më pas, ajo i dha një copë letër dhe një laps dhe i kërkoi të vizatonte imazhin që përfytyronte pasi e dëgjoi.

“Më kujtohet që kam vizatuar disa zogj, re dhe një rrugë. Ne i ngjyrosëm së bashku. Ishte shumë argëtuese kur mësimet e pianos u bënë klasë arti. Nuk ishte aspak e mërzitshme”,- deklaroi ai.

Xue, i cili ka lindur në Nanjing, në provincën Jiangsu, filloi të mësonte pianon kur ishte 5 vjeç dhe thotë se mësuesja e tij japoneze i kërkoi që të vinte krah për krah partiturën dhe pikturën kur ai praktikonte.

“Për herë të parë ndjeva se isha i lidhur me muzikën që luaja, sepse e kisha zgjedhur veprën dhe piktura ime ishte frymëzuar prej saj”,- thotë 34-vjeçari.

Xue u kthye në Kinë kur ishte 12 vjeç dhe studioi me profesorin e muzikës dhe pianistin Dan Zhaoyi në Shkollën e Arteve Shenzhen.

Xue vazhdoi të kryesonte një sërë garash ndërkombëtare muzikore, duke përfshirë dhe çmimin e parë në seksionin e të rinjve të Konkursit të tretë të Pianos “Isidor Bajic” në Serbi në vitin 2006, gjë që e bëri atë të performonte 12 koncerte në Europë në kuadër të 250-vjetorit të lindjes së Mozartit më vonë atë vit.

Përvoja në Japoni ishte tepër frytdhënëse për Xue. Muzika ngjalli jo vetëm një përgjigje emocionale, por edhe një përgjigje vizuale të lidhur ngushtë me ato emocione.

Tani që është kompozitor, ai vazhdon të përfytyrojë muzikën në kokën e tij. Albumi i tij i fundit, “See”, i publikuar nga divizioni kinez i “Universal Music Group”, më 22 mars, përmban 21 kompozime për një produksion kërcimi (i titulluar gjithashtu “See”) që u bashkëdrejtua dhe u interpretua nga balerina kryesore Tang Shiyi.

Foto:VCG

Foto:VCG

Më 22 mars, Xue mori rolin e dirigjentit kur produksioni u vu në skenë në Universitetin Tsinghua. Ai thotë se pasi Tang dhe bashkëdrejtori i saj Zheng Zihao komunikuan me të në verën e vitit 2022, ai ishte i intriguar nga projekti, i cili ishte frymëzuar nga mjedisi i rajonit autonom të Mongolisë së Brendshme.

Xue udhëtoi me makinë për në Hohhot, kryeqendra e rajonit autonom, dhe në livadhet e tij, ku ai regjistroi muzikën popullore mongole, duke përfshirë khoomei, një teknikë e lashtë e të kënduarit me fyt, dhe performancat e lahutës tradicionale mongole.

Përveç muzikës, atij i ka lënë përshtypje edhe pamjet natyrore. “Kur ecja në livadhe, më tërhiqte pafundësia e tyre. Kur shikova në qiellin blu, retë dukeshin aq të ulëta sa mund t'i kapja me duar”,- thotë Xue, i cili më pas i ktheu ndjenja dhe peizazhet e bukura në muzikë.

Kjo nuk është hera e parë që Xue kompozon muzikë për një vepër kërcimi. Që nga viti 2021, ai ka qenë drejtor muzikor për Teatrin Kombëtar kinez të Operës dhe Kërcimit.

“Është një përvojë shpërblyese të punosh me balerinë, sepse ata vizualizojnë muzikën time në skenë përmes lëvizjeve të tyre”,- thotë Xue, duke shtuar se ai kishte punuar edhe më parë me Tang.

Balerina koreografe 33-vjeçare, e trajnuar për t'u bërë një balerinë tradicionale kineze dhe e diplomuar në Akademinë e Kërcimit të Pekinit, tani është balerina kryesore në Teatrin Kombëtar kinez të Operës dhe Kërcimit. Ajo ka fituar shumë çmime të mëdha, duke përfshirë “Kupën Taoli”, nderimi më prestigjioz për kërcimtarët e rinj profesionistë në Kinë, dhe ka fansa të shumtë.

Në vitin 2016, Tang bëri debutimin e saj si koreografe në “The Flowing Dance From Tang Poetry”, një vepër që kombinonte lëvizjet tradicionale të kërcimit kinez me poezitë e lashta të dinastisë Tang (618-907).

Kërcimi i parë që ajo ka drejtuar u shfaq premierë në Qendrën Kombëtare për Artet Performuese në Pekin në shkurt 2023.

Foto:VCG

Foto:VCG

“U përpoqa të shprehja diçka duke përdorur një larmi elementesh teatrale. E lamë kompozitorin të shkruante muzikën fillimisht dhe më pas aranzhuam koreografinë bazuar në muzikën e tij. Me “See” u përpoqën të dilnim nga tradicionalja dhe lejuan frymëzimin të udhëhiqte idetë dhe tingujt”,- thotë ajo.

E pyetur pse “See” u frymëzua nga livadhet e Mongolisë së Brendshme, ajo thotë se ideja erdhi nga performanca e saj në veprën “Lady Zhaojun”, në vitin 2016. Tang luajti rolin kryesor të princeshës Wang Zhaojun, një grua e bukur nga dinastia Han (206 p.e.s-220), e martuar me liderin e Xiongnu, një grup etnik nomad në veri, dhe që ndihmoi në vendosjen e paqes në vend. Vepra e lejoi atë të eksploronte peizazhet e bukura të Mongolisë së Brendshme, thotë ajo. “Megjithëse kemi përdorur disa elementë të muzikës popullore mongole, i kemi bashkuar me një orkestër simfonike, duke i dhënë muzikës një imazh tjetër”,- thotë ajo.

Xue bashkëpunoi me divizionin kinez të “Universal Music Group” në vitin 2010, në moshën 21-vjeçare, atëherë artisti më i ri klasik që kishte firmosur me këtë kompani.

Ai ka publikuar pesë albume, duke përfshirë debutimin e tij “Magic Finger” dhe “Silent Song”, në të cilat interpreton muzikën klasike dhe interpreton kompozimet e tij për herë të parë.

Në vitin 2013, ai punoi me dirigjentin e njohur Li Xincao dhe Orkestrën Simfonike Kombëtare të Kinës për të nxjerrë albumin e performancës live, “The Concerto”, dhe në vitin 2023 ai u bë artist i përhershëm në Orkestrën Simfonike Kombëtare të Kinës.