Komision zero për llogaritë bankare për pensionistët
2024-04-04 12:05:49

Pensioniste (Foto Atsh)

Nga data 1 prill ka nisur zbatimin ligji për llogarinë e pagesave me shërbime bazike, i cili parashikon që të gjithë pensionistët, apo individët me ndihmë ekonomike, do të hapin një llogari bankare me kosto zero.

Referuar këtij ligji, çdo pensionist që dëshiron të transferojë pensionin në bankë apo çdo individ nga kategoritë në nevojë, ka të drejtë të hapë një llogari bazike bankare, e cila do të ketë zero kosto për mirëmbajtje, shkruan “ATSH”.

“Bankat do të ofrojnë të gjitha shërbimet me tarifë zero, pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike për këto kategori, por hapja e një llogarie bankare nuk është detyrim”, thuhet në ligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”.

Ndërkohë më tarifë zero do të jenë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte; transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line; transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.

Sipas ligjit, zgjerimi i mundësisë për aksesin në llogaritë e transaksioneve është një kusht i domosdoshëm për të arritur objektivin kryesor, duke synuar të arrijë një raport të zotërimit të llogarisë në nivelin 70%.

Ekspertët e BSH-së shprehen se kjo nismë është një hap më shumë drejt digjitalizimit dhe reduktimit të parave në dorë. (Irma)