Raporti i Bankës së Shqipërisë: Rritet besimi i biznesit dhe qytetarëve në ekonomi
2024-04-04 12:05:46

Biznes ne Shqiperi (Foto Atsh)

Biznes ne Shqiperi (Foto Atsh)

Banka e Shqipërisë publikoi rezultatet e Vrojtimit mbi Treguesit e Ndjesisë Ekonomike (TNE) që shënoi rritje me 2.5 pikë në muajin mars, ndikuar nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, të tregtisë, të shërbimeve si dhe rritja e besimit konsumator.

Raporti tregon se besimi në sektorin e ndërtimit shënoi rënie në mars, pas rritjes që regjistroi dy muajt e mëparshëm.

Sipas BSH-së, treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 3.6%. Niveli i tij qëndron aktualisht 3.5 pikë përqindje mbi mesataren historike, shkruan “ATSH”.

Rritja e TBI-së këtë muaj u ndikua nga vlerësimet e rritura të bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe pritje më optimiste për porositë nga eksportet në të ardhmen. Gjithashtu, pritjet e bizneseve për prodhimin industrial në të ardhmen regjistruan rritje. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) ra me 0.9 pikë përqindje në mars, pasi u rrit me 6.5 pikë përqindje një muaj më parë. Niveli i tij vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike, me rreth 23 pikë.

Rënia e TBN-së u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues. Nga ana tjetër, porositë aktuale u vlerësuan me rritje këtë muaj. Pritjet për punësimin dhe çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rënie.

Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u rrit me 6.4 pikë përqindje në mars. Niveli i treguesit aktualisht qëndron 12.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rritjen e TBSH-së kontribuan vlerësimet më optimiste të bizneseve si për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, si dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen janë rishikuar për lart këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Treguesi i besimit në tregti (TBT) u rrit me 2.7 pikë përqindje në muajin mars, pas rënies me 10.3 pikë përqindje një muaj më parë. Aktualisht, niveli i TBT- së qëndron rreth 3.4 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Në rritjen mujore të TBT-së ndikoi kryesisht vlerësimi më optimist i bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Pritjet për punësimin në të ardhmen shënuan rënie edhe këtë muaj. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rënie. (Irma)