Avokati i Popullit: Aksidenti në Këlcyrë, kambanë alarmi për forcimin e masave të kontrollit për emigrantët
2024-04-04 11:16:16

Avokati i Popullit (Foto Rtsh)

Avokati i Popullit bëri të ditur se aksidenti tragjik rrugor në Këlcyrë, ku humbën jetën 8 persona, mes të cilave 7 emigrantë nga Pakistani, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigracionit të paligjshëm, shkruan “RTSH”.

Në një deklaratë zyrtare të Avokatit të Popullit thuhet se emigracioni është një problem mbarëbotëror, ndaj duhen krijuar rrugë ligjore dhe të sigurta që ngjarje të tilla mos të përsëriten më.

“Adresimi në nivel global i çështjes së emigracionit. duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme. Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet. Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë. Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë”,- thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Një makinë me 8 persona ra nga 80 metra lartësi për shkak të shpejtësisë shumë të lartë duke përfunduar në anë të lumit të Vjosës. Drejtuesi i mjetit, i cili po mundohej t’i shpëtonte policisë, dhe 7 emigrantët që ndodheshin në mjet humbën jetën. (Irma)