Ministrja Ibrahimaj: Fushatë informimi në 15 universitete për startup-et
2024-04-04 09:30:01

Startup-e (Foto Atsh)

Startup-e (Foto Atsh)

Në kuadër të fushatës informuese për procedurat e aplikimit në thirrjen Grant 2024, agjencia “Startup Albania” është ndalur në 15 universitete publike dhe jopublike në të gjithë vendin.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qëllimi i kësaj fushate është për të prezantuar skemën e granteve për startup-et te studentët e nivelit master dhe stafit akademik, me qëllim nxitjen e komercializimit të kërkimit akademik dhe atij shkencor, shkruan “ATSH”.

Sipas saj, fushata e informimit intensive është zhvilluar edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

Fituesit e Grant 2024 duhet të përmbushin tre elementët kryesorë që do të shërbejnë për të bërë vlerësimin e ideve të biznesit: subjekti që aplikon duhet të jetë fitimprurës, çka do të thotë se nuk do të mbështeten projekte nga OJF për qëllime sociale; të gjendet një problematikë e caktuar në treg dhe t’i jepet zgjidhja; si dhe elementi i tretë është që duhet të jetë inovativ. Nuk duhet të jenë biznese tradicionale, si agroturizëm, hotel apo agjenci udhëtimi, por duhet të jenë biznese që sjellin një inovacion.

Thirrja e këtij viti ka një vlerë prej 300 milionë lekësh dhe synon që të mbështesë tre faza zhvillimore të startup-it. Kategoria e parë janë të rinjtë dhe të rejat që kanë një ide, por që nuk janë të regjistruar si biznes, financimi i të cilëve do të bëhet maksimalisht deri në 1.5 milionë lekë të reja. Në grupin e dytë janë bizneset që kanë të paktën një vit që janë regjistruar, kanë dorëzuar një palë pasqyra financiare dhe kanë një prototip të zhvilluar, dhe kanë nevojë për financim për zhvillimin e këtij produkti dhe nxjerrjen e tij në treg. Kjo kategori mbështetet maksimalisht deri në 4.5 milionë lekë.

Kategoria e tretë janë bizneset më të konsoliduara që prototipin e tyre e kanë të zhvilluar, por që kanë nevojë për suport për ta komercializuar, për të shtuar prodhimin, apo për ta ndërkombëtarizuar, kategori e cila do marrë financim deri në 9 milionë lekë. (Irma)