Nis puna për qendrën pritëse për emigrantët në Portin e Shëngjinit
2024-04-04 11:33:24

Shengjini (Foto Rtsh)

Pas Gjadrit, edhe në Portin e Shëngjinit ka nisur puna për ngritjen e qendrës pritëse për emigrantët, në kuadër të Marrëveshjes Shqipëri-Itali.

Vendi ku do të ngrihet qendra është e rrethuar, teksa punëtorët po punojnë prej dy ditësh.

Sipas marrëveshjes, emigrantët do të priten në këtë strukturë dhe nga aty do të transportohen me autobusë rreth 35 km në Gjadër, ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil nga Italia. Zbarkimi i tyre do të bëhet në Shëngjin, shkruan “RTSH”.

Në marrëveshjen me Italinë, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt, parashikohet pritja e emigrantëve afrikanë në portin e Shëngjinit dhe akomodimi në një kamp në Gjadër të Lezhës deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Protokolli për emigrantët u firmos nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorgia Meloni, më 6 nëntor 2023 në Romë. (Irma)