Nis greva e doganierëve grekë, mbyllen pikat e kalimit kufitar shqiptar me Greqinë
2024-04-03 16:45:18


Të gjitha pikat kufitare tokësore shqiptare me Greqinë janë mbyllur dhe nuk do të punojnë deri mëngjesin e së enjtes. Shkak është bërë greva e sindikatës doganore në shtetin helen. Lajmi u bë publik nga autoritetet greke, të cilat njoftuan homologët shqiptarë se nga ora 05:30 e 2 prillit, deri në orën 5:30 të 4 prillit, në asnjë nga pikat e kalimit tokësor nuk do të lejohet kalimi i autoveturave, autobusëve dhe kamionëve dhe do të lejohen personat që janë në këmbë pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, bën të ditur “RTSH”.

Greva, gjithashtu, ka paralizuar lëvizjen e mjeteve drejt Greqisë në të gjitha pikat doganore që lidhin shtetin helen me vendet e rajonit.

Policia e Shtetit u bën thirrje shtetasve shqiptarë që në këtë periudhë kohore mos të dynden në pikat doganore deri në përfundim të grevës së doganierëve, ndërkohë që ky institucion është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe pritet të ketë njoftime të tjera për çdo ndryshim. (Elona)