Dita Botërore e Autizmit, Koçiu: Të krijojmë hapësira miqësore për këta fëmijë
2024-04-03 16:00:43

Autizmi (Foto Panorama)

Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka kërkuar kontributin e të gjithëve për të falur sa më shumë dashuri për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, por edhe për të mbështetur prindërit e tyre.

Ministrja Koçiu shtoi se do të krijohen hapësira që këta fëmijë të mund të zhvillojnë potencialin e tyre, përcjell “RTSH”. 

“Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin na rikujton rolin dhe kontributin e çdo njërit prej nesh për të mbështetur, përkrahur dhe për të falur sa më shumë dashuri për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe prindërit e tyre.

T'i shndërrojmë hapësirat tona komunitare në vende sa më miqësore për këta fëmijë që të mund të zhvillojnë talentin dhe potencialin e tyre.

Nëpërmjet Fondit Social, MSHMS ofron shërbime të specializuara për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe shërbime të specializuara në banesa dhe do të vijojmë të rrisim shërbimet socio-shëndetësore për diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të fëmijëve me probleme të tilla shëndetësore”,- shkruan ministrja Koçiu.

2 prilli shënon Ditën Botërore të Çrregullimit të Spektrit të Autizmit, një çrregullim neuro-zhvillimor që fillon herët në fëmijëri dhe zgjat gjatë gjithë jetës së një personi. 

Aktualisht në nivel kombëtar ofrohen shërbime në 9 qendra rezidenciale dhe ditore si për fëmijët me aftësi të kufizuar, ashtu edhe për ata në spektër autik.

(Elona)