Aksident me 8 të vdekur, policia: Makina me klandestinë ishte me shpejtësi
2024-04-03 15:39:07

Drejtori i policisë (Foto RTSH)

Shpejtësia e madhe ishte shkakU i aksidentit me 8 viktimave mëngjesin e së martës në aksin Këlcyrë-Përmet. Drejtori i policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, sqaroi për mediat se automjeti i mbushur me klandestinë, pasi pikasi patrullën e policisë, u nis me shpejtësi në drejtim të Përmetit.

Çipa shpjegoi se policia u nis në ndjekje të automjetit, por e humbi. Blutë nisën kontrollin në zonë derisa e pikasën në vendin e aksidentit, citon “RTSH”.

“Gjatë inspektimit, patrulla vuri re shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas mundi të lokalizojë automjetin i cili kishte rënë në afërsi të lumit Vjosa. Zbritën poshtë dhe menjëherë ua transmetuan informacionin shërbimeve të cilat më pas kanë njoftuar prokurorin, grupin hetimor për të ardhur në vendin e ngjarjes dhe për të kryer veprimet e duhura procedurale”,- u shpreh Çipa për mediat.

Gjithashtu në vendngjarje ka shkuar edhe prokurori i qarkut Gjirokastër, Petrit Cano, i cili tha se vetëm drejtuesi i mjetit ishte shqiptar, ndërsa shtetasit e tjerë ishin nga vendet e treta që përdorin Shqipërinë si tranzit për të shkuar në vendet e BE-së. 

Prokurori tha se drejtuesi i mjetit dyshohet të jetë nga Shkodra dhe se mjetin e kishte marrë me qira po në këtë qytet. (Elona)