Rritet barra e sëmundjeve, fondet e rimbursimit të pamjaftueshme
2024-04-03 17:13:47

Ilaçe (Foto Panorama)

Ilaçe (Foto Panorama)

Barra e sëmundjeve në popullatën shqiptare është duke shënuar rritje nga viti në vit, si rrjedhojë e plakjes së popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë, në raportet e monitorimit për vitin 2023, tregojnë se rritja natyrale e sëmundjeve kronike për 8-mujorin 2023 është 5.9% në krahasim me vitin 2022, shkruan “Panorama”.

Kontingjenti i ri i të sëmurëve kërkon trajtimin e vazhdueshëm me mjekim falas, por fondet e rimbursimit nuk janë të mjaftueshme.

Në raportin zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dukje se fondet për rimbursimin nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar që të rritet tavani i fondit.

“Numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2022 është 1,83 diagnoza, ndërsa numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2023 është 1.96 diagnoza.

Rritja e numrit të diagnozave për të cilin rimbursohet një pacient është 6.9% më e lartë në 2023-shin, analizoi Ministria e Shëndetësisë.

Rritja e sëmundjeve kronike që përfshijnë rastet e reja dhe rastet me ndryshim të skemave të mjekimit ndikon në ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 8-mujorin 2023 janë evidentuar 74.331 raste të reja të sëmurë kronikë. Të dhëna të krahasueshme tregojnë se teksa barra e sëmundjeve në popullatë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, fondet publike që rimbursojnë mjekimin e të sëmurëve nuk kanë ndjekur të njëjtin trend. (Elona)