Berat, mbi 50 mijë vizitorë në tre muaj, shtohen turistët nga Azia
2024-04-03 17:54:02

Berat (Foto ATSH)

Berat (Foto ATSH)

Berati vijon të jetë ndër qytetet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit. Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani, tha për “ATSH”-në se në tremujorin e parë të këtij viti ka pasur një rritje të numrit të turistëve në Berat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në një shifër prej rreth 50.000 vizitorësh.

Sipas saj, vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, Berati u vizitua nga afërsisht 20.000 turistë, rreth 20% më shumë se në janar 2023.

“Rreth 85% e turistëve në Berat vijnë nga vendet e huaja, kryesisht Europa, por edhe Azia, SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia. Gjermanët, polakët, spanjollët, francezët, austriakët, italianët janë në top listën e turistëve të huaj”, - nënvizoi Merdani, duke shtuar se së fundmi ka pasur vizitorë të veçantë nga Tajvani, Japonia etj.

Sipas saj, turistët kanë kuriozitet për lagjet historike të qytetit, si dhe vizitojnë fshatrat turistikë.

“Qendra historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri të UNESCO-s, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane, por edhe atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistikë Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës janë ndër destinacionet kryesore të turistëve”,- tha Merdani.

Por, shtoi ajo, turistët kanë treguar interes edhe për sportet e aventurës.

“Aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorrit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, janë ndër të preferuarat e turistëve vendas e të huaj”,- theksoi Merdani. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture. (Elona)