Kryeministri Netanyahu zotohet të ndalojë transmetimet e televizionit Al Jazeera në Izrael
2024-04-02 15:50:00

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, u zotua të hënën të ndalojë transmetimet e stacionit televiziv Al Jazeera, brenda Izraelit.

"Kanali terrorist Al Jazeera nuk do të transmetojë më nga Izraeli. Kam ndërmend të veproj menjëherë në përputhje me ligjin e ri për të ndaluar veprimtarinë e tij”, tha kryeministri Netanyahu në një postim në platformën e mediave sociale X.

Më herët gjatë ditës, parlamenti miratoi një ligj, që i lejon qeverisë të mbyllë mediat e huaja, që konsiderohen si kërcënim për sigurinë e shtetit.

Ligji, i cili u miratua me 70 vota për dhe 10 kundër, u jep kryeministrit dhe ministrit të komunikimit, fuqinë për të mbyllur mediat e huaja në Izrael, nëse besohet se ato paraqesin kërcënim për sigurinë e Izraelit. Sipas ligjit, mediave të shënjestëruara mund t'u ndalohen edhe transmetimet.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi shqetësues zotimin e kryeministrit Netanyahu.