Izraeli godet konsullatën iraniane në Siri, reagon Irani
2024-04-02 15:01:36

Xinhua

Ekipet e shpëtimit punojnë pranë ndërtesës së shkatërruar të konsullatës iraniane në Damask  Sirisë, më 1 prill, 2024/Xinhua

Shtatë persona, duke përfshirë një komandant të lartë të Gardës së Iranit u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit të hënën ndaj ndërtesës së konsullatës iraniane në kryeqytetin sirian, Damask, duke shënuar një përshkallëzim të madh në konfliktet e Izraelit me kundërshtarët e tij rajonalë.

Ministria e Mbrojtjes Siriane tha se sulmi me raketa ndodhi rreth orës 17:00 sipas orës lokale (1400 GMT) kur Izraeli nisi goditjen ajrore nga Lartësitë Golan, duke synuar ndërtesën e konsullatës iraniane në Damask.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha në një deklaratë se shtatë këshilltarë ushtarakë iranianë u vranë në sulm, përfshirë Mohammad Reza Zahedi, një komandant i lartë i kësaj force.

Ministri i Jashtëm i Sirisë Faisal Mekdad dënoi sulmin dhe theksoi se kjo lëvizje nuk do të ndikojë marrëdhëniet siriano-iraniane. 

Xinhua

Njerëzit mblidhen në vendin e një sulmi raketor izraelit që synonte ndërtesën e Konsullatës iraniane në Damask të Sirisë, më 1 prill, 2024/Xinhua

Më vonë, në një bisedë telefonike me homologun e tij iranian Hossein Amir-Abdollahian, Mekdad dënoi me tone  më të ashpra, sulmet "kriminale" të Izraelit dhe i quajti ato "një shkelje flagrante" të ligjeve ndërkombëtare, veçanërisht të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, e cila përcakton një kornizë për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet vendeve të pavarura.

Amir-Abdollahian, nga ana e tij, tha se ky sulm ka shkelur të gjitha detyrimet dhe konventat ndërkombëtare, duke theksuar se Izraeli do të jetë përgjegjës për pasojat e veprimit. Ndërkohë ushtria izraelite ka deklaruar se nuk komenton raportet e mediave të huaja.

Reagimet

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Iranit pas këtij sulmi, zëdhënësi i saj Nasser Kanaani u citua të ketë thënë se Irani, ndonëse rezervon të drejtën për të ndërmarrë kundërmasa, do të shqyrtojë përgjigjen e tij ndaj sulmit dhe do të përcaktojë dënimin e duhur për "agresorin".

Misioni i Iranit në OKB e përshkroi sulmin si "shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ligjit ndërkombëtar dhe parimit themelor të paprekshmërisë së objekteve diplomatike dhe konsullore."

Duke thënë se sulmi ishte "një kërcënim i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale", misioni iranian i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dënonte sulmin dhe tha se Teherani rezervoi të drejtën "për të ndërmarrë një përgjigje vendimtare".

Xinhua

Ekipet e shpëtimit punojnë pranë ndërtesës së shkatërruar të konsullatës iraniane në Damask  Sirisë, më 1 prill, 2024/Xinhua

Grupi i armatosur libanez Hezbollah u zotua të hakmerret. “Ky krim nuk do të kalojë pa u ndëshkuar dhe pa hakmarrje ndaj armikut”, thuhet në deklaratën e grupit.

Kombet myslimane duke përfshirë Irakun, Jordaninë, Omanin, Pakistanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe Rusia gjithashtu e dënuan sulmin.

Duke vënë në dukje se sulmi u krye në një zonë metropolitane me popullsi të dendur me një rrezik të lartë të viktimave masive civile, Ministria e Jashtme ruse tha se akte të tilla "agresive" nga Izraeli janë "absolutisht të papranueshme dhe duhet të ndalen".

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller tha se Uashingtoni mbetet "i shqetësuar për çdo gjë që do të jetë përshkallëzuese ose do të shkaktojë një rritje të konfliktit në rajon", por nuk pret që sulmi të ndikonte në bisedimet për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.(Xu Guang)