Ministrja Koçiu: Në ISHP po bëhen analiza të thella gjenetike për viruset respiratore
2024-04-02 10:54:01

Proves gjaku (Foto Atsh)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se për herë të parë në Institutin e Shëndetit Publik ka nisur kryerja e analizave të thella gjenetike për viruset respiratore si SARS-CoV-2, Grip dhe RSV, testime që treguan rëndësi të veçantë gjatë pandemisë së Covid-19, citon “ATSH”.

Ministrja theksoi se kjo është teknika më e lartë për survejancën dhe diagnozën genomike që mundëson identifikimin dhe dhënien e një përgjigje të shpejtë dhe në kohë të shkurtër të qarkullimit të viruseve që kanë transmetueshmëri të lartë apo kanë rrezikshmëri më shumë se të tjerët.

Sipas ministres, deri tani në ISHP janë kryer 118 testimet e para përmes dy pajisjeve të sekuencimit, mundësuar në kuadër të investimeve për fuqizimin e kapaciteteve loboratorike në aparatura të tekonologjisë bashkëkohore.

Prej fillimit të shkurtit janë analizuar një sërë kampionesh, për të cilat është shkurtuar tashmë mundësia e dhënies së një përgjigje me të shpejtë. Gjithashtu, po pëgatitet dhe sekuencimi apo analiza e fortë genomike e virusit të gripit.

Sipas ekspertëve, kjo është një arritje tepër e rëndësishme për shëndetin publik të vendit, pasi në një kohë mjaft të shkurtër mund të identifikohen agjentët patogjenë, të cilët kanë transmetueshmëri të lartë, apo janë më të rrezikshëm se të tjerët. (Irma)