Delina Ibrahimaj (Foto Sotnews)
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, shprehu mirënjohjen për 539 aplikantët që kanë treguar besim ndaj skemës “Grant 2024” të financuar nga qeveria shqiptare, shkruan “ATSH”.
Ministrja nënvizoi se faza tjetër e rëndësishme përfshin procesin e vlerësimit.
“Ky proces është krijuar për të vlerësuar meritën, qëndrueshmërinë dhe ndikimin e mundshëm të secilit projekt. Qëllimi ynë nuk është vetëm të shpërblejmë pjesëmarrjen, por të nxisim një ekosistem ku idetë dhe startup-et transformuese mund të rriten dhe të bëjnë një ndryshim të qëndrueshëm”,- deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Sipas saj, priten dhe rezultatet e këtij vlerësimi gjatë muajit në vijim, me besimin se projektet e përzgjedhura do të shfaqin talentin, kreativitetin dhe shpirtin e jashtëzakonshëm të sipërmarrjes që Shqipëria ka për të ofruar.
Ministrja ftoi qytetarët të ndjekin për më shumë informacione, ndërsa, theksoi se ndërmarrja së bashku e këtij udhëtim bëhet për të formësuar të ardhmen e sipërmarrjes dhe inovacionit në vend. (Irma)