Ulet numri i aksidenteve në qytetin francez pas vendosjes së kufizimit të shpejtësisë
2024-04-02 11:45:34

Tabele rrugore (Foto Atsh)

Lioni, qyteti i tretë më i madh i Francës, ka pasur një reduktim të dukshëm të aksidenteve rrugore, që kur vendosi një kufizim të shpejtësisë deri në 30 kilometra në orë në shumicën e rrugëve të qytetit, shkruan “ATSH”.

“Ne kemi reduktuar numrin e aksidenteve me 35%, që është një gjë shumë e madhe. Dhe ajo që është edhe më e këndshme është se ne kemi regjistruar një ulje prej 39% të aksidenteve të rënda, domethënë në numrin e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda që kërkojnë trajtim spitalor. Kjo do të thotë se ne kemi shpëtuar jetë”,- deklaroi kryetari i bashkisë, Gregory Doucet.

Nga 30 marsi 2022, më shumë se 80% e rrugëve të Lionit kanë kufij 30 km/orë.

Qëllimi i deklaruar i futjes së kufirit të shpejtësisë në qytetin francez ishte rritja e sigurisë rrugore, qetësimi i qarkullimit dhe arritja e një ndarje më të mirë të hapësirës publike.

Gjithashtu kjo nismë synonte dhe lehtësimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe çiklistëve dhe të reduktonte ndotjen akustike.

Ulja e kufirit të shpejtësisë pritet të zbatohet edhe në 24 komuna në zonën përreth Lionit, me një popullsi totale prej rreth 1.4 milionë banorë. (Irma)