Investimet e huaja direkte në Shqipëri kishin tendencë në rritje në vitin 2023
2024-04-02 10:55:28

Investimet  e huaja (Foto Panorama)

Investimet e huaja direkte kanë shënuar një tendencë rritëse si në vitin 2022 ashtu dhe në vitin 2023.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vitin 2022, fluksi i investimeve të huaja ishte 1.37 miliardë euro, me një rritje rekord prej 33% në raport me vitin e mëparshëm.

Tendenca zgjeruese vijoi dhe në 2023-shin, por me ritme më të ngadalta. Ato arritën një tjetër rekord prej gati 1.5 miliardë euro, po rritja ishte më e ngadaltë me 8.7%, shkruan “Panorama”.

Pavarësisht rritjes rekord të investimeve në vitin 2022, numri i ndërmarrjeve të huaja në vend shënoi rënie. Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i ndërmarrjeve me 100% kapital të huaj ishte 4934 në vitin 2022, me një rënie prej 6.1%, ose 316 ndërmarrje të mbyllura që janë larguar nga vendi.

Pesha e ndërmarrjeve 100% të huaja ndaj totalit ka rënë në 2.4% në 2022-shin, nga 2.9% një vit më parë.

Italia është vendi, që kryeson për numrin e ndërmarrjeve që shtetasit e saj hapin në Shqipëri, me 44% të totalit, me rritje 4% me bazë vjetore, ose 2171 subjekte. Ndërmarrjet nga Italia janë përgjithësisht të vogla dhe në sektorin e shërbimeve dhe fason. Në vend të dytë janë sipërmarjet nga Kosova, me 356, ose 7.2% e totalit. Numri i tyre ra me gati 10% në 2022. 

Sipas raporti të INSTAT, në vitin 2022 ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta zënë 3,2% të njësive ligjore aktive që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ato kanë realizuar 18,9% të punësimit gjithsej dhe 19,8% të shitjeve neto.

Për treguesin e shitjeve përqindja më e lartë e ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët për vitin 2022 është në sektorin e Tregtisë me 26,7%. (Irma)