AMF: Tregu i sigurimeve u rrit me 8.14%
2024-03-31 18:01:43

Tatimet (Foto Atsh)

Foto Atsh

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet bruto gjatë dy muajve të parë të 2024-s arritën vlerën e 3.5 miliardë lekëve, në rritje me bazë vjetore 8.14%.

Sipas AMF-së, në rritje ka qenë edhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura, që gjatë kësaj periudhe arriti në 204,626, bën të ditur “ATSH”.

Referuar statistikave, tregu mbetet i orientuar te sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 91.28% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 8.72% dhe risigurimi me 0.003% . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.36% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-shkurt 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 1,286 miliardë lekë ose 19.03% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën regjistruan një vlerë prej 815 milionë lekësh. Primet e sigurimit në këtë kategori arritën në rreth 2 miliardë lekë ose 9.76% më shumë. (Irma)