Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut hyjnë në koalicion për zgjedhje
2024-03-31 17:59:38

Ali Ahmeti (Foto Rtsh)

Ali Ahmeti (Foto Rtsh)

Kuvendi Qendror i krahut të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës pranoi ofertën e koalicionit Fronti Europian të drejtuar nga Ali Ahmeti i BDI-së, për të dalë së bashku në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe ato parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Selës, pranimi i ofertës bëhet për të maksimizuar votën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe që vendi të të bëhet sa më shpejt pjesë e BE-së, përcjell “RTSH”.

115 delegatë të Kuvendit Qendror të subjektit shqiptar në RMV votuan pro dhe një votoi kundër ofertës së Ahmetit për t’iu bashkuar koalicionit Fronti Evropian. Ky koalicion ka propozuar Bujar Osmanin si kandidat për president në zgjedhjet presidenciale.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, ky subjekt synon të ketë pesë deputetë dhe grup të veçantë parlamentar.

Krahu i Selës në Aleancën për Shqiptarët ka 6 deputetë në Parlament, ndërsa dy prej tyre mbështesin Arben Taravarin, kandidatin e opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut. (Irma)