Ministrja Balluku: Synojmë ta kthejmë bukën në një produkt tradicional shqiptar
2024-03-31 17:20:14

Balluku ne furre buke (Foto Atsh)

Balluku ne furre buke (Foto Atsh)

Zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi planin për ta kthyer bukën në një produkt tradicional shqiptar, duke ndërtuar dhe një muze.

Gjatë një inspektimi në furrat e bukës në Lushnjë, Balluku tha se ky muze do të ishte një atraksion i shtuar në fushën e turizmit, bën të ditur “ATSH”.

“Kemi plan që bukën tradicionale ta bëjmë markë të njohur shqiptare. Ramë dakord të bëjmë edhe muzeun e bukës, ndoshta këtu në Lushnjë. Do të ulemi të gjithë në tryezë dhe ta diskutojmë këtë ide”,- tha Balluku.

“E kam diskutuar me ministren e Bujqësisë dhe ministren e Turizmit, mund ta kthejmë në një markë, duke e vendosur edhe në prizmin e historisë, se si e bluanin shqiptarët misrin, grurin etj., dhe si ka evoluar prodhimi i bukës, varietetet e bukëve, pasi një pjesë e tyre ruhet edhe sot. Të gjitha këto të përmbledhura, duke ngritur dhe një muze, ku mund edhe të prodhohet buka brenda.  Mund të ishte një atraksion turistik në të ardhmen. Mund ta bëjmë edhe në Lushnjë”, - tha Balluku. (Irma)