Ministri Mete: Pritet të miratohen detajet për garancinë sovrane për fasoneritë
2024-03-31 16:50:27

Fasoneri (Foto Atsh)

Fasoneri (Foto Atsh)

Ministri i Financave, Ervin Mete, deklaroi se qeveria shqiptare pritet të miratojë në ditët në vijim detajet mbi instrumentin e garancisë sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason.

Ministri Mete theksoi faktin se ky instrument në ndihmë në sektorit fason parashikohet të jetë me terma më pozitivë dhe lehtësues sesa garancitë sovrane që qeveria ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë, bën të ditur “ATSH”.

“Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, të cilat do të jenë ndoshta edhe më pozitive sesa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë se, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese”, - u shpreh ministri.

Ai vuri në dukje se sektori i industrisë përpunuese ka pasur trajtim të përshpejtuar, si në rastin e rimbursimit të TVSH-së, ashtu edhe sa u përket veprimeve me llogaritë e tyre. Mete theksoi se në përgjithësi, në fund të vitit të kaluar, niveli i rimbursimeve të prapambetura të TVSH-së për biznesin rezultoi zero. (Irma)