Guvernatori Sejko: Bankat, shërbime me kosto zero për llogaritë e shtresave në nevojë dhe pensionistëve
2024-03-31 16:52:52

Bankomat (Foto Atsh)

Bankomat (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se bankat e nivelit të dytë do të ofrojnë shërbime me kosto zero për hapjen e llogarive bankare nga qytetarët e skemave të ndihmës ekonomike dhe pensionistët.

Ai tha se në muajin prill hyn në fuqi ligji për llogaritë bazike të pagesave, i cili ka të bëjë me shtresat vulnerabël të popullsisë, pensionistët, individët me ndihma sociale, të cilët do të hapin llogari dhe nuk do të paguajnë komisione bankare, citon “ATSH”.

“Institucionet financiare janë të detyruara të aplikojnë komision zero për këto kategori”, - tha Sejko, teksa vuri në dukje se kjo nismë synon përmirësimin e aksesit në financë, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e të ardhurave, duke ngushtuar kështu hapësirat ekzistuese të abuzimeve.

Këto llogari bankare do të përdoren për të kryer pagesa vetëm brenda vendit.

Nga ana tjetër, objektiv i BSH-së është që deri në fund të këtij viti, më shumë se 70% e popullsisë të ketë një llogari bankare. (Irma)