Sezoni turistik, nisin kontrollet në strukturat akomoduese për sigurinë e pajisjeve të gazit dhe lidhjeve elektrike
2024-03-31 18:17:07

Ministrja Balluku (Foto Atsh

Ministrja Balluku (Foto Atsh)

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur në Vlorë inspektimin në strukturat hoteliere për sigurinë e pajisjeve të gazit dhe certifikimin e sistemit elektrik. Aksioni do të vijojë në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të mbarë dhe të sigurt, shkruan “ATSH”.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në Vlorë, ku së bashku me drejtorin e ISHTI, Sokol Zaimi dhe kryebashkiakun, Ermal Dredha, ndoqën nga afër aksionin që po zhvillohet në këtë qytet.

Balluku tha se këto inspektime janë në kuadër të kritereve të sigurisë që duhet të kenë të gjitha strukturat akomoduese në Shqipëri, qoftë sa i takon përdorimit të pajisjeve me gaz, ashtu edhe sistemin elektrik, duke theksuar se përfitues janë edhe vetë subjektet.

“Janë mbi 650 struktura akomoduese, nga Shkodra deri në Ksamil, që do të jenë objekt i këtyre kontrolleve”, u shpreh Balluku.

Balluku nënvizoi se i gjithë procesi, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, do të finalizohet deri më datën 1 maj, para nisjes së sezonit turistik, duke mos sjellë kështu shqetësime dhe pengesa në operimin e strukturave akomoduese.

“Jemi duke shpejtuar pasi nuk duam t’ju shqetësojmë gjatë sezonit, kështu që grupet e ISHTI-së në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkive të zonave bregdetare, por dhe atyre malore, pasi kryesisht e kemi vëmendjen tek ato zona të cilat do të jenë pritëse të këtij sezoni fantastik turistik me më shumë se 14 milionë vizitorë, do të jenë në terren dhe do të mundohen që të jenë sa më të shpejt, pa shqetësuar klientët, pasi është një proces që duhet ta kryejmë para 1 majit”,- deklaroi ministrja Balluku. (Irma)