Qeveria shqiptare miraton ndërtimin e dy centraleve fotovoltaike në Fier
2024-03-30 15:30:36

Impiante fotovoltaike (Foto Atsh)

Impiante fotovoltaike (Foto Atsh)

Qeveria shqiptare miratoi ndërtimin e dy centraleve gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, që nuk janë objekt koncesioni, përkatësisht në fshatin Sheq Marinas, Bashkia Fier, nga shoqëria “Albania power core”, sh.p.k dhe në fshatin Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, nga shoqëria “Alb Sunergy”, shkruan “ATSH”.

Sipas vendimit të relacionit që shoqëron këtë vendim, kapaciteti i instaluar i centralit fotovoltaik në fshatin Sheq Marinas është 40.56 MW; ndërsa ai në fshati Povelçë, 30 MW.

Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik në në fshatin Sheq Marinas do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi; ndërsa ai në fshati Povelçë do të ketë një afat prej 60 muajve, operimi i tyre zgjat 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e dy projekteve.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. (Irma)