Harta e re gjyqësore, diskutohet për zgjidhjen e problemeve
2024-03-30 16:36:48

Harta e gjyqesorit (Foto Rtsh)

Harta e gjyqesorit (Foto Rtsh)

Zbatimi i hartës së re gjyqësore ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, mes ministrit Ulsi Manja, kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, dhe kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsi Çela, shkruan “RTSH”.

Ministri i Drejtësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se qëllimi i takimit ishte të diskutohej për përmbushjen e Hartës së Re Gjyqësore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Gjirokastrës.

Diskutimi u përqendrua në gjetjen e zgjidhjeve për problemet e vazhdueshme që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe ambientet e punës për gjyqtarët dhe prokurorët në këto rrethe gjyqësore, duke pasur parasysh nevojat afatshkurtra dhe afatgjata.

Bashkëpunimi dhe dialogu i hapur me kryetaren e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorin e Përgjithshëm shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së problemeve dhe përmirësimit të shërbimeve ligjore për qytetarët.

“Biseduam për ecurinë e zbatimit të Hartës së Re Gjyqësore në Tiranë, Durrës, Fier dhe Gjirokastër, me fokus zgjidhjen e problemit afatshkurtër dhe afatgjatë për godina pune për gjyqtarët dhe prokurorët në këto rrethe gjyqësore. Bashkëpunimi dhe dialogu i hapur me kryetaren e KLGJ dhe Prokurorin e Përgjithshëm ofron mundësi për zgjidhjen e problematikave dhe përmirësimin e shërbimeve ligjore për qytetarë”,- shkroi ministri Manja. (Irma)