Aftësitë digjitale ndihmojnë të rikthyerit nga emigrimi
2024-03-30 15:05:01

Aftesite digjitale (Foto Atsh)

Aftesite digjitale (Foto Atsh)

Vendet e punës sot gjithmonë e më shumë kërkojnë aftësi të avancuara digjitale, por Shqipëria ende ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar në këtë drejtim.

Ndërsa të rinjtë romë dhe egjiptianë përballen me sfida në sektorin e punësimit, aftësitë e reja digjitale të sapofituara, u japin një avantazh të madh në tregun e punës. 25 të rinj të rikthyer nga emigrimi apo azili përmbyllën me sukses trajnimin e tyre në aftësitë digjitale dhe kompjuterike, shkruan “ATSH”.

Kjo iniciativë u zbatua nga PNUD Albania në bashkëpunim me OJF-në “The Youth of Ura Vajgurore” në kuadër të projektit “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe lokale për të mbështetur integrimi efektiv social-ekonomik të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor”.

Ky projekt zbatohet nga UNDP Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe AKPA.

Ekonomia digjitale po transformon me shpejtësi shoqërinë shqiptare, peizazhin e punësimit në të gjithë sektorët, duke përfshirë shërbimet financiare, shëndetin, turizmin dhe argëtimin, transportin dhe natyrisht, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.  (Irma)