Ministri Balla: Deklarimi i vendbanimit nga shqiptarët jashtë vendit, detyrim ligjor
2024-03-30 16:00:28

Taulant Balla (Foto Tvklan)

Taulant Balla (Foto Tvklan)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se regjistrimi i vendbanimit dhe vendqëndrimit është një detyrim që ka ligji për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë mundësi dhe detyrimin të regjistrojnë online vendbanimin dhe vendqëndrimin e tyre, shkruan “ATSH”.

“Çdo qytetar i Shqipërisë është i detyruar të njoftojë vendin ku banon, ose vendin ku qëndron. Vendi ku qëndron lidhet me punonjësit e Policisë, punonjësit ushtarakë, mjekët, infermierët, ose një profesioni tjetër që banon diku, por që për shkak të punës qëndron diku tjetër. Duhet të bëjnë regjistrimin”, tha Balla.

Sipas ministrit, janë rreth 14.000 shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të vendit, që kanë bërë regjistrimin e vendbanimit të tyre.

Ai theksoi se procesin e deklarimit, qytetarët mund ta bëjnë online, përmes portalit E-Albania, përmes shërbimit për deklarimin e vendbanimit nga qytetarët që jetojnë jashtë territorit.

“Nevojitet vetëm një kopje e një dokumenti që të vërtetojë vendbanimin, si një kontratë shtëpie, kontratë furnizimi me ujë të pijshëm, energjie, ku deklarohet se familja x jeton në këtë adresë y. Në këtë mënyrë ne do krijojmë një regjistër të plotë të gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo ku ata jetojnë. Deri tani janë rreth 14.000 qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, që e kanë kryer këtë regjistrim”,- tha ministri Balla.

Ai tha se regjistrimi i vendbanimit është një detyrim ligjor që prej vitit 2016, i cili nuk është respektuar dhe kjo histori duhet të përfundojë.

Ministri i Brendshëm theksoi se martesat dhe regjistrimi i fëmijëve do të vazhdojnë të kryhen në zyrën e gjendjes civile, për çështje verifikimi. (Irma)