Konferencë “online” me temë “Panairi i Kantonit i Kinës për bizneset shqiptare”
2024-03-29 16:05:41

Foto marre nga takimi online i Panairit te Kantonit i Kinës për bizneset shqiptare

Eksperti Bardhi Sejdarasi në konferencën online Panairi i Kantonit i Kinës për bizneset shqiptare

CEO i Euroazia Grup Ilirjan Koxhion në konferencën online Panairi i Kantonit i Kinës për bizneset shqiptare

Kompania “Euroasia Group Shpk”, në partneritet me Qendrën e Tregtisë së Jashtme të Kinës, organizoi të enjten konferencën “online” me temë: “Panairi i Kantonit (Eksport-Import) i Kinës për bizneset shqiptare”.

Në konferencë morën pjesë shumë biznese shqiptare importuese të mallrave nga Kina, si dhe eksportuese në Kinë, agjenci turistike, drejtues dhe përfaqësues të lartë të dhomave të tregtisë dhe industrisë dhe shoqatave të tjera të biznesit në Shqipëri.

Nga Shqipëria, në konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë nga Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit Ekonomik, Politikat e Promovimit të Biznesit dhe Çështjet Tregtare, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve AIDA.

Ndërsa nga pala kineze ishin të pranishëm dhe diskutuan Zeng Ping, menaxhere e lartë e Departamentit të Operacioneve të Panairit të Kantonit, Zhang Xiaohua, menaxher i Produktit në kompaninë kineze “Zhejiang Textiles Import & Export Group Co., Ltd.”, si dhe Zheng Zhenling, këshilltare për Ekonominë dhe Tregtinë pranë Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri.

Konferencën e përshëndeti ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila vlerësoi ecurinë e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kinë vitet e fundit, sidomos gjatë vitit 2023, ku Kina u bë partnerja e dytë tregtare e Shqipërisë dhe eksportet shqiptare në Kinë u rritën me 20 për qind. 

Konferenca vijoi me komente, pyetje dhe përgjigje nga të pranishmit, në një atmosferë ndërveprimi të hapur me interes reciprok bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni.  (Eda Merepeza)