Këshilli Ekonomik Kombëtar, kryeministri Rama: Synojmë të rrisim investimet e huaja
2024-03-29 15:46:03

Keshilli Ekonomik Kombetar (Foto Rtsh)

Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku u diskutua mbi politikat që po ndërmerren për të mbështetur më tej ekonominë dhe bizneset, kryeministri Edi Rama deklaroi se ekonomia shqiptare po kalon në fazë pozitive zhvillimi, shkruan “RTSH”.

Kreu i qeverisë shprehu ambicien se Shqipëria ka potencial për rritje të mëtejshme të investimeve të huaja, duke e çuar shifrën në 4 miliardë euro.

“Ne kemi potencial për rritje të mëtejshme të investimeve të huaja. Synimi ynë të ngjitemi në 2.5.-3-4 miliardë euro. I kemi të gjitha mundësitë të kemi një tjetër vlerësim pozitiv nga “Standard & Pour’s”,- tha kreu i qeverisë shqiptare, duke theksuar se procesi i integrimit në BE me fazën e negociatave ngarkon me përgjegjësi të reja sistemin e organizimit të vendit.

“Projektligji i ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare duhet të imponojë detyrimin e regjistrimit në dhomën ekonomike kombëtare sikurse e kanë të gjithë vendet demokratike. Nevojat e sipërmarrjes janë shumë më ndryshe se më parë. Jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit në BE me fazën e negociatave ngarkon me përgjegjësi të reja sistemin e organizimit të Shqipërisë. Pushteti ekzekutiv, gjyqësor dhe legjislativ kanë detyrat e tyre që duhet t’i përmbushin”,- tha kryeministri Rama. (Irma)