Nis instalimi i matësve inteligjentë në katër rajone të Shqipërisë
2024-03-29 14:52:39

Matesit smart (Foto Rtsh)

Matesit smart (Foto Rtsh)

1622 matës inteligjentë të energjisë elektrike do të instalohen në katër rajone të vendit, përkatësisht në Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Pas tenderit me fond limit prej 120 milionë lekësh, të zhvilluar në fund të vitit 2023, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka lidhur kontratën që i hap rrugë investimit. OSHEE-ja bëri të ditur se përfitimet do të jenë të dyanshme, si për kompaninë ashtu edhe për abonentët, shkruan “RTSH”.

Matësi inteligjent realizon faturim korrekt dhe cilësor të konsumit, si edhe ndjek në kohë reale fluksin e kilovatëve në rrjetin elektrik.

Konsumatorët mund të kontrollojnë në kohë reale ecurinë e konsumit dhe faturimin. Problemet që mund të shfaqen nga ndonjë defekt identifikohen dhe marrin zgjidhje të shpejtë.

Matësat e rinj do të instalohen në kabinat elektrike dhe tek abonentët në Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Matësit e parë u vendosën në zonën e Kasharit dhe Vorës, pjesë e rëndësishme e rajonit të Tiranës, ku janë përqendruar biznese të shumta.

Pas instalimit të 3500 matësve inteligjentë në këto dy zona, reduktimi i nivelit të humbjeve rezultoi në 7.5%, që është edhe standardi i kërkuar.

Kjo procedurë i hap rrugë dhe zbatimit të planit strategjik për investime në sisteme të matjes përmes përdorimit të teknologjisë inovatore. (Irma)