Mijëra aplikime në ditën e parë të hapjes së Skemës Kombëtare për Bujqësinë
2024-03-29 14:20:13

Skema e bujqesise (Foto Rtsh)

Skema e bujqesise (Foto Rtsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi se vetëm në ditën e parë të hapjes së Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë janë kryer rreth 10.000 aplikime nga fermerët në të gjithë vendin, shkruan “RTSH”.

“Janë bërë gati 10 mijë aplikime. Përllogaritja jonë është në 5.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar ne dhamë një shumë të konsiderueshme falë mbështetjes së qeverisë me gati 51 milionë dollarë dhe përfituan gati 65 mijë fermerë. Rishikimi i tavaneve në aspekt të likuiditetit është e mundur nëpërmjet aktit normativ. Do të shohim trendin e aplikimeve. Do të doja të kishim sa më shumë fermerë të bashkuar dhe të merrnin maksimumin”,- deklaroi ministrja Denaj në një intervistë për mediat.

Ministrja Denaj theksoi se ata që përfitojnë më shumë janë fermerët e bashkuar, ndërsa theksoi se po punohet me bankat që të lehtësohen procedurat dhe kostot për fermerët.

Buxheti për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për këtë vit është 55 milionë dollarë. (Irma)