Ministrja Kumbaro: Asnjë subjekt turistik s’mund të ofrojë shërbime pa u certifikuar
2024-03-29 14:16:46

Motore uji (Foto Rtsh)

Motore uji (Foto Rtsh)

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik veror, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u bën thirrje të gjithë operatorëve që ushtrojnë veprimtari ujore për qëllime turistike të certifikohen pranë këtij institucioni.

“Asnjë subjekt nuk mund të veprojë, të ofrojë shërbime si operator i turizmit detar ose të përdorë emërtimin “Operator i turizmit detar”, nëse nuk është pajisur me certifikatë. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit janë në terren për të këshilluar dhe informuar mbi domosdoshmërinë e certifikimit të Operatorëve Turistikë Detarë për një sezon të sigurt e të kontrolluar”, njoftoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, citon “RTSH”.

Aplikimet janë të hapura për të gjitha subjektet që ofrojnë aktivitete lundrimi për qëllime turistike dhe argëtimi që nga skafet, motorët e ujit, xhetski dhe çdo lloj veprimtarie të ngjashme.

Certifikimi i operatorëve turistikë detarë duhet të kryhet jo vetëm në zbatim të ligjit, por mbi të gjitha për të garantuar një turizëm të sigurt dhe me standarde, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Turizmit. (Irma)