Rexhep Hida: Leximi do të vazhdojë
2024-03-29 10:56:54

Shtëpia botuese “Fan Noli” është enti  i parë privat në fushën e botimit në Shqipëri, e krijuar në maj 1991  si edhe një nga botuesit më të mëdhenj në vend. Me rreth 5000 tituj që nga themelimi, “Fan Noli” ka sjellë për lexuesit pothuajse të gjithë klasikët e huaj dhe autorët shqiptarë. Në portofolin e kësaj shtëpie botuese gjenden emrat më të mëdhenj të botës së letërsisë, fituesit e çmimeve letrare, shkrimtarët më të njohur dhe të modës, yjet e medias, aktorët, prezantuesit televizivë dhe gazetarët, politikanët dhe figurat publike.

“Fan Noli” boton çdo vit më shumë se 100 libra të rinj, letërsi inteligjente dhe argëtuese, trendet më të fundit në tregun e librit, bestsellerët e botës, me mision ruajtjen e trashëgimisë intelektuale vendase dhe të huaja. Kjo shtëpi botuese ka kontribuar dhe në promovimin e autorëve kinezë nga veprat e Konfucit, nobelisti Mo Yan, por dhe botimin në shqip të serisë së veprave të presidentin të Kinës Xi Jinping “Qeverisja e Kinës”. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, presidenti i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, Rexhep Hida flet për ecurinë mbi 30 vjeçare të saj, arritjet, objektivat dhe sfidat.

Botime të autorëve kinezë nga Shtëpia Botuese Fan Noli (Foto CMG)

Botime të autorëve kinezë nga Shtëpia Botuese Fan Noli (Foto CMG)

CMG: Çfarë vendi ze Shtëpia Botuese “F. Noli” në botimet shqiptare. Cila është historia e saj?

Rexhep Hida: Shtëpia Botuese “F. Noli” është e para shtëpi botuese private në Shqipëri, e hapur në maj të vitit 1991. Arsyeja përse kjo shtëpi botuese u hap e para është sepse unë punoja më pare si shef i botimeve politike në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” e më pas “8 Nëntori”, që ishin shtetërore dhe e dija se do të vinte çasti që do të lejohej veprimtaria private edhe në fushën e botimeve. Më 5 maj 1991 mu dha licenca për të hapur këtë veprimtari private, të cilën e kam nisur me një vepër me vlerë të një autori të madh siç është “I huaji” i A. Camus, fitues i çmimit Nobel. Madje midis nobelistëve mbahet si më i madhi. Më pas vijuam me vepra të tjera të këtij autori si “Miti i Sizifit”, “Njeriu i revoltuar” etj. Ndërkohë vijuam me autorë të tjerë francezë, meqënëse unë kam kryer studimet pasuniversitare 3 vjeçare në Francë dhe kam qenë pedagog i gjuhës frënge në universitet.

Sa i përket botimeve kemi botuar autorë të tjerë francezë si M. Proust, J.P. Sartre etj dhe kemi vijuar me vepra të tjera të autorëve të mëdhenj, të cilët ishin të panjohur më pare për lexuesin shqiptar të letërsisë artistike moderne, si dhe të filozofisë dhe sociologjisë, veçanërisht të psikoanalizës. Në këtë kuadër filluam përkthimin dhe botimin e veprave të S. Freud, Adler, Jung dhe filozofëve të tjerë, të cilët lexuesit shqiptarë i kishin dëgjuar, por nuk kishin rënë në kontakt.

Pjesëmarrës në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Pekin

Pjesëmarrës në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Pekin

CMG: Kemi të bëjmë me letërsi të mirëfilltë të autorëve shqiptarë dhe të huaj në botimet tuaja, si dhe me vepra  për psikoanalizën, historinë

Rexhep Hida: Arsyeja përse unë jam përqendruar te letërsia artistike moderne dhe të psikoanalizës është se më ka pëlqyer  të botoj literature të thellësive dhe kjo lidhe drejtpërdrejt me psikoanalizën, përfaqësuesi kryesor i së cilës është Freud. Kemi botuar 23 vëllime nga Freud, 7 vëllime nga Jung dhe autorë të tjerë të psikoanalizës.

Kemi vijuar me autorë të mëdhenj të letërsisë së vendeve të ndryshme si Dostojevskij, Çehov, Tolstoj, Pasternak e të tjerë. Nuk kanë munguar autorë të tjerë si Dickens, autorë amerikanë dhe letërsi moderne, që pëlqehet shumë nga lexuesi shqiptar.

CMG: Si ka qenë ecuria e botimeve tuaja me jetëgjatësi mbi 30 vjeçare, kur dihet se në mbarë botën botimet në epokën digjitale hasin probleme

Presidenti i Shtëpisë Botuese Fan Noli Rexhep Hida (Foto CMG

Presidenti i Shtëpisë Botuese Fan Noli Rexhep Hida (Foto CMG

Rexhep Hida: Kur kemi botuar në fillim romanin “ I huaji” të Camus, kemi shitur një tirazh të paimagjinueshëm për kohët e sotme prej 30 mijë kopjesh. Ishte një kohë kur nuk kishin hyrë platformat e reja digjitale, por më pas tirazhet filluan të bien dhe shkuan në 10 mijë, ndërsa tani janë tirazhe shumë të kufizuara sepse lexuesit janë rralluar, por dhe ata që lexojnë më shumë janë të prirur te platformat digjitale.

Ndonëse numri i lexuesve ka shkuar në rënie, por kur më pyesin gazetarët në përgjithësi lidhur me vazhdimin e botimit të librave, unë u përgjigjem se nuk e di çfarë do të ndodhë me librin klasik, sepse libri ka ndryshuar formë disa here që nga antikiteti deri tani, por e them me siguri që leximi do të vazhdojë. Arsyen përse do të vazhdojë leximi po e shpjegoj me një thënie të Bernard Shaw-t, kur e pyetën nëse leximi është një veprimtari e këshillueshme apo jo, ai tha: “Kush lexon fluturon, kush nuk lexon zvarritet”

Unë mendoj se shumica e njerëzve duan të fluturojnë, kush nuk do të fluturojë! Prandaj leximi do të vijojë.

CMG: Një e veçantë e Shtëpisë Botuese “F. Noli” janë botimet e autorëve kinezë ndër vite. Kur kanë nisur këto botime, sa është numri i tyre dhe sa interes ka për këto vepra të autorëve nga Kina?

Rajmonda Hida gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës me palën kineze për botimin e librit Qeverisja e Kinës të presidentit Xi

Rajmonda Hida gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës me palën kineze për botimin e librit Qeverisja e Kinës të presidentit Xi

Rexhep Hida: Portofoli i botimeve të Shtëpisë Botuese “Fan Noli” do të ishte i paplotë pa botuar dhe autorë të vendeve të Lindjes. Deri në vitin 2000 ne kemi botuar shumë autorë perëndimorë, jo për preference vendesh, por e nisëm veprimtarinë me autorë francezë sepse kanë përfaqësuar trendin kryesor të letërsisë moderne Sartre, Camus, Proust, apo Kafka autor gjerman. Ne vijuam me autorët rusë, japonezë, indianë, por dhe autorë të mëdhenj kinezë si Lu Sun, nga i cili kemi botuar romanin “Thirrje për armë”, Tie Ning me veprën “Lulet e pambukut”.nga Mo Yan kemi botuar “Ndryshimet”, si dhe autorë të tjerë.

CMG: Ky vit shënon 75 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Para disa ditësh Grupi Ndërkombëtar i Botimeve të Kinës, Shtëpia Botuese “F.Noli” dhe Ambasada e Kinës promovuan vëllimin e dytë të veprës së presidentit “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës”. Flasim për nismën e shtëpisë botuese që drejtoni për botimin e kësaj serie

Rexhep Hida: Midis 5 mijë titujve të botuar deri tani nga Shtëpia Botuese “Fan Noli” nga autorë të mëdhenj shqiptarë dhe të huaj, vendin qendror e ze vepra “Qeverisja e Kinës” e presidentit të Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping. Në dijeninë time seria ka 14 vëllime dhe ne kemi botuar dy prej tyre, ndërsa vëllimi i dytë sapo doli në qarkullim

CMG: Si arriti Shtëpia Botuese “Fan Noli” të nisë botimin e veprave të presidentit kinez? Keni një marrëveshje, kontratë?

Rexhep Hida: Patjetër. Çdo botim realizohet pas një marrëveshjeje, e cila bëhet për copyright-in, si dhe për përkthimin dhe redaktimin e procese të tjera. Lidhur me këto vepra ka një arsye të thjeshtë, por të thelluar. Në kontakt me Shtëpinë Botuese kineze “Foreing Language Press” kam rënë në Panairin e Frankfurtit, të cilin e frekuentojmë vazhdimisht. Përfaqësuesi i kësaj shtëpie botuese erdhi në stendën tone, një djalë i ri, i përgatitur  dhe shumë miqësor i cili më bëri propozimet e tij me një listë të përcaktuar të autorëve kinezë, në krye të së cilës ishte vepra e presidentit Xi. Sapo e pashë, e studiova dhe menjëherë rashë dakord. 

Filloi puna. Kam kënaqësinë të pohoj që botimi në shqip i veprës së presidentit të Kinës Xi në gjuhën shqipe renditet i katërti në botë, sipas gjuhëve që është botuar, ku  duke përjashtuar kinezishten e para është anglishtja, frengjishtja, rusishtja dhe gjuha shqipe.

CMG: Në cilin vit u botua vëllimi i pare i veprës në shqip?

Rexhep Hida në intervistë për CMG

Rexhep Hida në intervistë për CMG

Rexhep Hida: Para 5 vjetësh u botua vëllimi i pare dhe tani hodhëm në qarkullim vëllimin e dytë. Këtë ma pohuan drejtuesit kinezë të shtëpisë botuese për vendin e katërt të gjuhës shqipe dhe u ndjeva mire, sepse u vlerësua botimi për nga cilësia.Madje kur u botua vëllimi i pare i veprës drejtuesit kinezë të shtëpisë botuese e cilësuan si botimin në shqip si më të mirin në botë.

Për faktin se kjo seri veprash është botuar në 43 gjuhë dhe kemi këtë vlerësim, mendoj se është një vlerësim për Shtëpinë Botuese “Fan Noli” por dhe botimet shqiptare në përgjithësi

CMG: 4 vëllimet e librit janë përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës dhe në shqip vijnë të përkthyera dy vëllimet e para, të cilat japin një kuptim të plotë të Kinës bashkëkohore në arenën ndërkombëtare. Ju do të vazhdoni me botimin e vëllimeve të tjera të serisë “Qeverisja e Kinës” nga presidenti Xi?

Rexhep Hida: Sigurisht që ne do të kemi një marrëveshje afatgjatë dhe do të vazhdojmë me vëllimin e 3, të 4. Në janar të këtij viti u nënshkrua marrëveshja për botimin e vëllimit të 4-të. Me siguri do të vazhdojmë me botimet e serisë në vijim.

CMG: Në takimin për promovimin e librit “Qeverisja e Kinës” të presidentit Xi u theksua se në qendër të tij është njohja e Kinës dhe ecuria e saj gjatë kësaj periudhe. Cilët janë lexuesit e këtij libri?

Rexhep Hida: Këto vëllime përbëhen nga fjalime, biseda dhe intervista të ndryshme që ka zhvillua presidenti Xi. Trajtohen çeshtje të Republikës Popullore të Kinës si marrëdhëniet ekonomike, sociale, çeshtjet e edukimit, mjedisit dhe politikës së jashtme. Po lexoj vlerësimin e një lexuesi për librin: “Libri Qeverisja e Kinës i presidentit Xi lexohet me shumë lehtësi. Aty të tërheq thellësia e veçantë e mendimit, një qasje e rrallë profesionale. Aty gjen një formulim të saktë të pyetjeve, një përshkrim të thellë të problemeve, të cilat janë konceptuar  me një pathos dhe përkushtim të veçantë të autorit ndaj veprës së tij”

Më ka bërë përshtypje një thënie e presidentit Xi në libër “Një komb apo një vend duhet të dijë se cili është, nga vjen dhe ku po shkon. Duke e kuptuar këtë do të ecë në një rrugë të qendrueshme drejt qëllimit të tij”

Kjo është vepra më e rëndësishme që ka botuar Shtëpia Botuese “Fan Noli” në këto 33 vjet.

CMG: Si ka nisur viti 2024 për Shtëpinë Botuese “Fan Noli”? Cilat janë planet botuese për këtë vit?

Vëllimi i dytë në shqip i veprës Qeverisja e Kinës nga presidenti Xi

Vëllimi i dytë në shqip i veprës Qeverisja e Kinës nga presidenti Xi

Rexhep Hida: Ka nisur mbarë për faktin që kemi startuar me nënshkrimin e marrëveshjes për vëllimin e 4-të të veprës “Qeverisja e Kinës” të presidentit kinez Xi Jinping. Delegacioni i shtëpisë sonë botuese i përfaqësuar nga Rajmonda Hida nënshkroi marrëveshjen për vëllimin e katërt. Ne kemi hartuar një program të gjerë të botimeve në të gjitha fushat me Francën, me shtëpi botuese gjermane, britanike, amerikane, ruse, azerbajxhanase, gjithashtu kemi një marrëveshje të mire me Turqinë, por vendin kryesor këtë vit do ta zenë botime të autorëve kinezë. Ne do të botojmë vepra të një sërë autorësh kinezë në gjuhën shqipe. Deri tani kemi botuar 50 vepra nga autorë kinezë  dhe do të botojmë dhe 9 të tjera në gjuhën shqipe.

 Shtëpia Botuese “Fan Noli” ka mundur të realizojë marrëveshje dhe të hedhë në qarkullim në Kinë dhe vepra të autorëve shqiptarë. Do të përmendja romanin e autores Diana Çuli “Hoteli i drunjtë”, që është botuar vitin e kaluar në Kinë nga një shtëpi botuese prestigjoze. Ndërkohë në proces është një roman i autorit Bashkim Shehu, si dhe janë duke u përkthyer 3 romane të tjera autorë të tjerë shqiptarë, që shpresoj se do të hidhen shumë shpejt në qarkullim. Shpresoj që bashkëpunimi me palën kineze të thellohet, sidomos në kuadër të 75 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

CMG: Këto plane do t’i shohim të pasqyruara në Panairin e Librit në nëntor?

Rexhep Hida: Do t’i shohim të pasqyruara në dy panaire, së pari gjatë Panairit të Pekinit, që zhvillohet në qershor dhe pastaj në nëntor në Panairin e Librit

CMG: Cilat janë përshtypjet tuaja nga pjesëmarrja në Panairin e Pekinit?

Rexhep Hida: Kemi marrë pjesë disa here në këtë panair. Midis Shqipërisë dhe Kinës ekziston një miqësi e vjetër, shumë e vyer, e cila ia kalon edhe legjendave. Një miqësi e hapur, e sinqertë dhe e dyanëshme. Me popullin e kinez na lidh dhe ana shpirtërore dhe unë me të gjithë botuesit punoj shumë mire, duke shpresuar që ky bashkëpunim të vijojë.

Intervistoi Eda Merepeza