Marrëveshje kredie me BERZH-in, 75 milionë euro për trajtimin e ujërave të ndotura
2024-03-28 14:14:20

Mirela Kumbaro (Foto RTSH)

Mirela Kumbaro (Foto RTSH)

Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje kredie me BERZH-in prej 75 milionë eurosh për investim në sistemin e pastrimit dhe pajisjeve të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila sqaroi se 8 bashki do të jenë pjesë e këtij projekti, i quajtur “Deti blu”, citon “RTSH”.

“Miratuam një marrëveshje shumë të rëndësishme kredie me Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim prej 75 milionë eurosh.

Terreni është i vështirë. 480 km vijë lumore në një sipërfaqe zonë të mbrojtur prej 12 mijë hektarësh. Sot, për shkak të aktivitetit njerëzor, ujërat e ndotura derdhen në lumin e Vjosës. Ka një emër karakteristik kjo marrëveshje, që është “Deti blu”, pra është ekonomia blu”,- tha  ministrja Kumbaro.

Pas miratimit të marrëveshjes dhe ratifikimit në parlament shumë shpejt, do të nisë puna për ekzekutimin e projektit, që do të marrë disa vite. (Elona)