Remitancat arrijnë rekordin e 930 milionë eurove në 2023-shin
2024-03-28 17:56:38

Euro - remitanca (Foto Panorama)

Euro - remitanca (Foto Panorama)

Paratë që emigrantët dërgojnë te familjarët e tyre kanë shënuar rritje të ndjeshme në 2023-shin, duke arritur nivelin më të lartë historik, të paktën që prej vitit 2008, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Remitancat apo dërgesat e emigrantëve arritën në gati 930 milionë euro vitin a kaluar, me rritje prej 11.3%, shkruan “Panorama”.  Në krahasim me vitin 2013, kur remitancat kishin hyrë në cikël rënës, fluksi pothuajse është dyfishuar. Që pas viteve ‘90, prurjet e emigrantëve u bënë një burim i rëndësishëm i hyrjeve valutore në vend, teksa ata që ikën u integruan gradualisht dhe më pas filluan të dërgonin para te të afërmit e tyre që kishin lënë në Shqipëri.

Por pas një apo dy dekadash, lidhjet u shkëputën dhe hyrjet nëpërmjet emigrantëve filluan të binin, një tendencë e njohur ciklike. Rigjallërimi i emigracionit pas vitit 2013 ndikoi dhe në kthimin e ciklit rritës të remitancave. Që nga kjo periudhë, me përjashtim të vitit 2020, prurjet e emigrantëve u zgjeruan fillimisht me ritme njëshifrore, ndërsa vitet e fundit ritmet e rritjes u përshpejtuan. (Elona)