Ministri Balla: Rritet numri i shërbimeve online në gjendjen civile
2024-03-28 11:43:55

Taulant Balla (Foto RTSH)

Taulant Balla (Foto RTSH)

Qeveria ka vendosur që të rrisë numrin e shërbimeve ndaj qytetarëve që ofrohen online në gjendjen civile. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se ky shërbim do të kursejë kohë dhe para për qytetarët, citon “RTSH”.

Duke dhënë një shembull të rëndësisë dhe lehtësive që ofrojnë shërbimet online, Balla tha se në 2 vite janë lëshuar 11.3 milionë certifikata online duke kursyer 13.2 milionë euro nga xhepat e qytetarëve.

“Këtu nuk llogaritet koha e humbur nga qytetarët. Ky revolucion digjital ka kursyer kohë, ka përshpejtuar shërbime  dhe ka kursyer para. Kjo është arritja e parë dhe ne do e çojmë më tej këtë shërbim”,- tha Balla.

Në fund, ministri u bëri thirrje qytetarëve qe jetojnë brenda dhe jashtë vendit që të deklarojnë vendbanimet dhe vendqëndrimet pasi është detyrim ligjor. (Elona)