Florida kufizon qasjen e fëmijëve në median sociale
2024-03-28 17:49:29

Fëmijë me celular (Foto ATSH)

Fëmijë me celular (Foto ATSH)

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, nënshkroi projektligjin shumë të debatuar që synon kufizimin e qasjes së fëmijëve në platformat e medias sociale.

Ligji u ndalon fëmijëve nën moshën 14 vjeç që të kenë llogari në median sociale, ndërsa 14 dhe 15-vjeçarët mund të kenë llogari me pëlqimin e prindërve, bën të ditur “ATSH”.

“Media sociale dëmton fëmijët në mënyra të ndryshme”, - tha DeSantis në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij, duke shtuar se ligji u ofron  prindërve mundësi për të mbrojtur fëmijët e tyre.

Kritikët argumentojnë se ligji është antikushtetues, se gjykatat kanë bllokuar legjislacione të ngjashme në shtete të tjera dhe se ai mund të përballet me sfida ligjore nga industria e teknologjisë.

Sipas zyrës së guvernatorit, legjislacioni mbron gjithashtu aftësinë e banorëve të Floridas për të mbetur anonimë në internet dhe kërkon që faqet pornografike ose seksuale të përdorin verifikimin e moshës për të parandaluar të miturit të hyjnë në faqet që janë të papërshtatshme për fëmijët.

Legjislatura e shtetit amerikan kishte miratuar një projektligj në shkurt që do të ndalonte plotësisht fëmijët nën 16 vjeç nga media sociale.

DeSantis vuri veton ndaj këtij projektligji, duke ngritur shqetësime për shkeljen e të drejtave prindërore. Ky version i ndryshuar do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025. (Elona)