INSTAT: Rriten me 55.4% hyrjet e të huajve në shkurt
2024-03-27 17:09:52

Gjirokastra (Foto Albinfo)

Hyrjet e të huajve në muajin e dytë të vitit shënuan rritje me 55.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, cituar nga “ATSH”, në shkurt të këtij viti në territorin shqiptar hynë më shumë se 980 mijë shtetas të huaj e shqiptarë, 41.1%, për qind krahasuar me shkurtin 2023. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shkurt 2024, shënuan një rritje me 44.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në shkurt 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 500.756. Ky numër është rritur me 29.8%, krahasuar me shkurtin 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 480.539. Ky numër është rritur me 55.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”,- vlerëson INSTAT.

Sipas INSTAT-it, në shkurt 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është ai i Europës me 459.700 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 8.147 dhe 2.979 shtetas. (Elona)