Përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri: Plani i BE-së për rritjen, transformues për rajonin
2024-03-27 11:09:42

André Rizzo, tryeza (Foto ATSH)

André Rizzo, tryeza (Foto ATSH)

Përparimi i reformave është kusht për përfitimin nga plani i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh i prezantuar nga Komisioni Europian në nëntor të vitit 2023, deklaroi André Rizzo, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, gjatë tryezës të mbajtur në “Europe House”, në Tiranë, ku u diskutua për tregun e përbashkët rajonal dhe reformat e vendit në planin e ri të rritjes, bën të ditur “ATSH”.

“Është një lajm i mirë që tashmë ka një zotërim domethënës të planit të rritjes në rajon. Komisioni Europian vlerëson se plani i rritjes është i aftë të kontribuojë për të pasur një efekt transformues në ekonomitë e rajonit, me kusht që të përmbushen plotësisht reformat sipas planit”,- tha Rizzo.

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, tha se Gjermania e mbështet plotësisht planin e rritjes.

“Qeveria gjermane mbështet plotësisht objektivat e planit të rritjes, në veçanti synimin për të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë tregut të brendshëm të BE-së dhe gjithashtu më pranë pranimit. Ne e shohim Procesin e Berlinit dhe planin e rritjes si plotësues të njëri-tjetrit”,- u shpreh Bergner.

Qeveria shqiptare është në fazën përfundimtare të hartimit të listës së reformave që do të mbështeten nga ky fond. Plani parashikon 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi me pagesë të kushtëzuar që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin reforma specifike socio-ekonomike dhe themelore.

Plani i rritjes synon të mbështesë ekonominë e vendeve të rajonit, kryesisht në forcimin e tregut të përbashkët rajonal, për ta integuar gradualisht me atë të Bashkimit Europian. Kjo do t’i japë mundësi tregut rajonal të Ballkanit Perëndimor të jetë i konkurrueshëm me atë të Bashkimit Europian. (Elona)