Banka qendrore dhe BERZH, takim për inflacionin dhe ekonominë e gjelbër në Shqipëri
2024-03-27 17:03:36

Sejko takim (Foto ATSH)

Inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe politikat monetare dhe  ekonomike kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit. Deklarata u bë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, bën të ditur “RTSH”.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it rikonfirmuan mbështetjen që ky institucion do të vijojë të japë për Shqipërinë, veçanërisht për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri.

Një shembull mjaft i mirë është lehtësimi i financimit të ekonomisë së gjelbër, përmes të cilit BERZH-i ka mbështetur kreditimin e bankave për sektorin rezidencial për investime në përmirësimin e eficiencës së energjisë.

Përfaqësuesit e BERZH-it gjithashtu u shprehën se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ata theksuan përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit. (Elona)