Ligjvënësit rusë mendojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje pas sulmit terrorist
2024-03-27 17:42:50

Crocus City Hall (Foto Riskyinvests)

Ligjvënësit rusë po diskutojnë heqjen e moratoriumit mbi dënimin me vdekje të vendit, pas sulmit terrorist vdekjeprurës në një sallë koncertesh në Moskë.

“Nuk ka asnjë formë tjetër dënimi për ta përveç dënimit me vdekje”,- deklaroi Leonid Slutsky, kreu i Partisë Liberaldemokratike të Rusisë, duke iu referuar të dyshuarve për sulmin terrorist, në një seancë plenare të Dumës ruse, ose Dhoma e Ulët e Parlamentit, shkruan “Xinhua”.

Slutsky gjithashtu vuri në dukje se nxitja e terrorizmit duhet të dënohet me burgim.

Kryetari i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, propozoi krijimin e një grupi pune për të analizuar legjislacionin në lidhje me përdorimin e dënimit me vdekje dhe politikën e emigracionit.

Sipas legjislacionit aktual, dënimi me vdekje mbetet i ligjshëm në Rusi, megjithatë, një moratorium mbi dënimin me vdekje u vendos në vitin 1996, pasi vendi ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Gjykata Kushtetuese e Rusisë vendosi një ndalim të dënimit me vdekje në vitin 1999. Kremlini bëri të ditur të hënën se aktualisht nuk po merr pjesë në asnjë diskutim mbi rikthimin e mundshëm të dënimit me vdekje.

Persona të armatosur qëlluan të premten në ambientet e koncerteve të “Crocus City Hall”, në periferi të Moskës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 139 persona dhe plagosjen e shumë të tjerë. Katër prej të dyshuarve të ndaluar mbahen tashmë në paraburgim, në pritje të vendimit ndaj tyre. (Elona)