Raporti: Një në 10 italianë ishte në varfëri absolute në vitin 2023
2024-03-27 15:36:00

Istat Itali (Foto Federcepicostruzioni)

Istat Itali (Foto Federcepicostruzioni)

Një në 10 italianë jetonte në varfëri absolute vitin e kaluar, bwhet e ditur nga të dhënave paraprake të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave të Italisë, cituar nga “Xinhua”.

Sipas ISTAT-it, 5.75 milionë italianë jetonin në varfëri absolute në vitin 2023, nga 5.67 milionë në vitin 2022 dhe 5.32 milionë në 2021-shin. Vitin e kaluar, ky grup përbënte 9.8 për qind të popullsisë së vendit.

ISTAT-i e përkufizon një person që jeton në varfëri absolute si dikush që i mungojnë burimet për të përmbushur nevojat e tij bazë si ushqimi dhe uji i pastër i pijshëm, veshmbathja, kujdesi shëndetësor dhe strehimi.

Të dhënat e ISTAT-it tregojnë se nivelet më të larta të varfërisë absolute u raportuan në rajonet jugore, kryesisht bujqësore, ndërsa veriu i industrializuar tregoi nivelet më të ulëta. Megjithatë, raporti vuri në dukje një rritje më të shpejtë të niveleve të varfërisë në rajonet veriore krahasuar me pjesët e tjera të vendit.

Të rinjtë ishin grupi demografik më i goditur: 14 për qind e italianëve të moshës nën 18 vjeç jetonin në varfëri absolute, kundrejt 11.9 për qind të atyre nga mosha 18 deri në 34 vjeç. Sipas raportit, vetëm 6.2 për qind e italianëve të moshës mbi 65 vjeç jetonin në kategorinë më të ulët ekonomike.

ISTAT-i bëri të ditur se faktori kryesor pas përqindjes në rritje të banorëve italianë që jetojnë në varfëri absolute ishte inflacioni, i cili ka tejkaluar rritjen ekonomike gjatë dy viteve të fundit.

Vitin e kaluar, çmimet u rritën mesatarisht me 5.9 për qind, ndërsa ekonomia u rrit me 0.9 për qind. Në vitin 2022, norma e inflacionit ishte 8.1 për qind, ndërsa ekonomia u rrit me vetëm 3.7 për qind. (Elona)