Ministri Hasani me papa Françeskun: Harmonia fetare në Shqipëri, model për të gjithë
2024-03-27 17:33:24

Papa dhe ministri Hasani (Foto RTSH)

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, vlerësoi përpjekjet e papa Françeskut dhe të Kishës Katolike për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe harmoninë midis komuniteteve fetare, kombeve dhe popujve në botë.

“Vlerësimi i thellë i shenjtërisë së tij për shembullin që Shqipëria i jep botës për solidaritetin njerëzor dhe vëllazërinë fetare vazhdon të jetë një frymëzim dhe dritë udhërrëfyese për përpjekjen e vazhdueshme të vendit për të qenë në anën e duhur të historisë”,- theksoi ministri Hasani.

Në takimin me papa Françeskun u vlerësua harmonia fetare në Shqipëri si një model shumë i mirë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm, bën të ditur “RTSH”. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë janë shumë të rëndësishme dhe shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale.

Këtë vit mbushen 10 vjet nga vizita e papa Françeskut në Shqipëri, i cili zgjodhi te vizitonte Shqipërinë si vendin e parë në Europë pikërisht për dialogun ndërfetar midis besimeve të ndryshme. (Elona)